Vllaznia gabon edhe në Laç. Mundet 0-1 nga vendasit

258

Tjetër hap i gabuar i Vllaznisë. Pas distatës me Luftëtarin javën e shkuar, ajo është mundur edhe nga Laçi. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në Laç kur në fund të 90 minutave, është shënuar rezultati 1-0 për vendasit. Vendasve u ka mjaftuar goli i braziliani Aquino shënuar në fundin e pjesës së parë, për të marrë një trepikësh shprese për të ardhmen. Skuadra shkodrane vinte në këtë ndeshje me probleme të mëdha sa i takonte ndërtimit të formacionit sepse përveç Kalajës dhe Markut që ishin të dëmtuar, paraditen e sotme edhe mbrojtësi Gocaj ka ndjerë shqetësime dhe për këtë arsye, stafi mjekësor ka rekomanduar lënien pushim të tij. Kjo natyrisht që i shtoi problemet për stafin teknik në ndërtimin e formacionit. Megjithatë ndeshja sidomos në pjesën e parë ka patur rivalitet. Madje, janë futbollistët e Vllaznisë që në 2-3 momente me anë të Shtubinës, Pepës dhe Vrapit, kanë edhe mundësi të shënojnë. Në minutën  e 42-të, Vllaznia pretendon për një prekje të topit me dorë nga njëri prej mbrojtësve të Laçit brenda zonës së rreptësisë dhe kërkojnë nga gjyqtari Klajdi Kola 11-metërsh apo ai vazhdon lojën. Pikërisht prej këtij momenti, do të vinte një kundërzbritje e shpejtë e laçianëve dhe braziliani Aquino gjuan fort në hyrje të zonës duke mposhtur portierin Agoviç dhe topi përfundon në rrjetë. Pjesa e parë do të mbyllej me këtë gol. Në të dytën pritej një reagim më i fortë i kuqebluve por nuk ndodh kështu. Madje, është Laçi në 2-3 momente shumë pranë realizimit të golit të dytë. Atyre do t’ua bënte më të lehtë fitoren edhe gjyqtari i takimit që nxjerr mbrojtësin Cicmil  me karton të kuq në minutën e 69-të, për një ndërhyrje që mjaftueshëm duhej të ishte dënuar vetëm me karton të verdhë. Kaq do mjaftonte që ekuilibrat në fushë të prisheshin megjithatë në minutën e 85-të Pepa ka qenë shumë pranë golit të barazimit por topi shkon ngjitur me shtyllën pingule. Më pas nuk ka më asgjë dhe përfundimisht 1-0 për Laçin.
© vllaznia.al