Vllaznia gabon në Tiranë. Mundet 1-2 nga bardheblutë

266

Vllaznia nuk ka arritur të marrë qoftë edhe një pikë në ballafaqimin direkt me Tiranën. Ndeshja e luajtur pasditen e së shtunës në “Qemal Stafa”, është zhvilluar në një terren aspak të përshtatshëm ngaqë fusha ishte mbuluar me ujë dhe kjo ndikoi padyshim në zhvillimin e lojës. Kuqeblutë e kanë nisur mirë ndeshjen. E kanë kontrolluar ata lojën por në minutën e 15-të një goditje dënimi larg zonës, do të sillte golin e parë për bardheblutë. Topi shkon në zonë, aty ku goditet nga një lojtar i Tiranës dhe dërgohet tek Vrapi që krejtësisht i lirë brenda zonës, e dërgon atë në rrjetë. Reagimi i Vllaznisë ëshët i shpejtë. Pak minuta më vonë do të pretendonte për një 11-metërsh pas pengimit në zonë të Shtubinës por Jemini nuk është i këtij mendimi. Në minutën e 35-të, Bardulla do pengohej brenda zonës nga Morina dhe këtë herë gjyqtari nuk ka ku shkon pa drejtuar dorën drejt pikës së bardhë. Bushiç është i saktë në goditje dhe shënon golin e barazimit, njëkohësisht të 13-tin këtë sezon me Vllazninë. Pjesa e parë do mbyllej 1-1. E dyta nis përsëri me gol. Ndikumana nuk markohet në të djathtë teksa kroson në zonë dhe aty Morina “i vidhet” Bacit duke e dërguar topin në rrjetë. Kaq do mjaftonte që Tirana të ruante avantazhin deri në fund dhe të siguronte tre pikët e fitores. Vllaznia ndërkohë zbret me këmbë në tokë pas kësaj humbje teksa ka mbetur në kuotën e 41 pikëve duke qenë sërish shumë e rrezikuar për rënien nga kategoria.
TIRANA-VLLAZNIA 2-1
TIRANA: Lika, Pashaj, Muça, Vrapi, Kalari, Taku, Karabeci, Kërçiku (Deliç 70′), Ndikumana, Morina (Kahata 63′), Gilberto (Koreshi 92′). (në dispozicion: Sejdo, Limani, Çota, Kaja); Trajner: G.Magani.
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Vukçeviç, Sykaj (Tafili 60′), Boci, Gocaj, Bardulla, Shtubina, Hajdari (Dibra 75′), Beqiri, Kruja, Bushiç. (në dispozicion: Selimaj, Kraja, Dema, Belisha, Marku); Trajner: D.Haxhiosmanoviç.
GOLAT Vrapi 19′, Morina 47’/ Bushiç 35′ (11-m)
KARTONË TË VERDHË: Kalari, Morina, Pashaj/ Vukçeviç, Bardulla
GJYQTARET: L.Jemini, D.Rexha (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

© vllaznia.al