Vllaznia kthehet e mundur nga Kruja. Kastrioti fiton 3-2

263

Skuadra shkodrane ka bërë një hap të gabuar. Ajo është mundur në ndeshjen e luajtur në Krujë nga Kastrioti vendas me rezultatin 3-2. Më shumë sesa humbja, ajo që rëndon mbi kuqeblutë është loja e dobët dhe me oshilacione e shfaqur prej tyre në fushën e lojës. Kuqeblutë kanë pësuar dy gola në pjesën e parë për gabime të futbollistëve tanë. Reagimi është i vakët megjithatë Bushiç rifut në lojë Vllazninë. Fillimi i pjesës së dytë është i mirë për shkodranët. Hajdari humb një rast të pastër që në minutën e parë por Tafili rikuperon një minutë më vonë duke shënuar golin e barazimit. U krijua ideja se shkodranët do kërkonin fitoren por në minutën e 57-të do vinte goli i tretë për krutanët. Një top pas shpinës së Vukçeviç, zotërohet nga Popoviç që shënon para syve të portierit. Përfundimisht 3-2 dhe pozitat e Vllaznisë të mbetur në kuotën e 22 pikëve rëndohen jo pak në renditje. Kampionati bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe shkodranët rrezikojnë shumë tashmë.Humbja e fundit në Krujë ndaj Kastriotit vendas me rezultatin 2-3 por edhe rezultatet e sotme të ndeshjeve të tjera të Superligës, i kanë rënduar jo pak pozitat e Vllaznisë në renditje. Ajo ndodhet në kuotën e 22 pikëve por javët e ardhshme duken shumë të vështira. Tirana po ngjitet. Kastrioti është futur sërish në lojë pas fitores ndaj saj dhe po ashtu edhe Bylis mbetet i rrezikshëm në fushën e tij pavarësisht humbjes së sotme ndaj Tiranës. Këto janë skuadrat që kanë më shumë shanse për të rënë. Besa ndërkohë vetëm me dy fitore në dy takimet e fundit jo vetëm që i është larguar zonës së ftohtë por tashmë po sheh drejt kreut. Një kampionat krejtësisht i pakuptimtë teksa edhe Flamurtari tashmë ka hyrë në vallen e skuadrave që rrezikojnë rënies. Kukësi po ashtu nuk po ngjitet dhe në gjithë këtë vorbull skuadrash që rrezikojnë, Vllaznia duket se nuk i ka punët mirë. Asaj i mungojnë aleatët dhe po ashtu edhe mbështetja. Tifozët janë të pakët në numër dhe sigurisht që gjërat nuk janë në rregull. Kalendari është i vështirë pasi këtë javë vjen Partizani, më pas do shkojë në Ballsh për ta mbyllur fazën e dytë në Shkodër duke pritur Besën. Ky kalendar dhe kjo situatë kërkon një seriozitet maksimal nga të gjithë shkodranët. Jo vetëm ata që janë sot pjesë e Vllaznisë. Edhe nga tifozët, edhe nga specialistët, edhe nga pushtetarët lokalë. Kushdo që ka diçka në dorë, duhet patjetër të kontribuojë për këtë skuadër në mënyrë që ajo të mos bjerë nga kategoria. Natyrisht që nuk është koha për ndryshime, as për presione. Tashmë është koha për bashkëpunim mes të gjithëve për të mirën e Vllaznisë. Njëkohësisht duhet edhe një analizë e hollësishme e kësaj situate për të nxjerrë detyrat e secilit dhe njëkohësisht përgjegjësitë që duhet të marrë për ta shpëtuar skuadrën.
KASTRIOTI-VLLAZNIA   3-2
Golat: Doku 13′, Bratic 17′, Popovic 52′ / Bushic 36′, Tafili 47′
KASTRIOTI: Kukrika, Xhafa (Manuka 46′), Caca, Da Silva, Turdiu (Malindi 58′), Bratiç, Ferraj, Daja, Doku, Muçollari (Karapici 73′), Popoviç. Trajner: Ramadan Ndreu
VLLAZNIA: Vujadinoviç, Kraja, Vukçeviç, Gocaj (Belisha 80′), Boci (Dibra 71′), Bardulla (Nikoliç 28′), Sykaj, Tafili, Kruja, Hajdari, Bushiç. Trajner: Agim Canaj
Kartonë të verdhë: Manuka / Gocaj, Tafili, Vukçeviç

© vllaznia.al