Vllaznia kualifikohet për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë

254

Vllaznia- apoloniaVllaznia kualifikohet për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë pasi mund në ndeshjen e kthimit me rezultatin 2-1 ekipin e Apolonisë. Kuqeblutë zhvilluan një ndeshje me dy tablo. Në 45 minutat e para shënuan dy gola të shpejtë, por mjaftoi një gol i fierakëve në të dytën që të shtonte ankthin. E, megjithatë, pas barazimit pa gola në ndeshjen e luajtur në Fier, shkodranët fituan 2-1 ndaj Apolonisë, rezultat që i ka dhënë një “biletë” për në raundin pasardhës. Në këtë përballje, tekniku Grima ka lënë jashtë formacionit disa nga lojtarët titullarë, të cilët do të jenë të gatshëm për takimin me Skënderbeun, por kjo nuk ka ndikuar në fushën e lojës. Shkodranët kanë bërë një paraqitje të mirë, duke e vendosur në rrezik ekipin mik që në minutat e para. Shifrat u zhbllokuan në të 26-ën, kur Kalaja, një nga më të mirët e Vllaznisë, ka arritur që të dërgojë topin në rrjetë me një gjuajtje të bukur. Tempi i lojës u rrit dhe rrjedhimisht rastet nuk kanë munguar për kuqeblutë, të cilët patën disa raste të pastra. Dhe në të 36-ën erdhi dhe goli i dytë, i cili është shënuar nga Martinez përmes një veprimi të bukur dhe 2-0. Shkodranët u drejtohen dhomave të zhveshjes të sigurt për kualifikimin. Mirëpo, në pjesën e dytë ishin miqtë që reaguan dhe në të 53-ën ngushtuan shifrat me anë të Nakos. Pavarësisht se nuk ka gol tjetër deri në fund, natyrisht që rezultati kishte brenda atë frikën e pësimit të ndonjë goli tjetër që do të prishte shumë gjëra por kjo nuk ndodhi. Fitorja 2-1 është një rezultat ky që çon shkodranët në çerekfinale.
VLLAZNIA-APOLONIA 2-1
GOLAT: Kalaja 26′, Martinez 36’/ Nako 53′
VLLAZNIA: Sherri, Gurishta, Haxhaj, Borshi, Hakaj, Sefa (Çinari 64′), Krymi, Kalaja, Lushtaku (Dyca 49′), Paviçeviç, Martinez (Ahmeti 46′); Trajner: A.Grima.
APOLONIA: Cako, Nako, Prifti, Balaj, Braka, Lluka (Arapi 66′), Andoni, Kondakçiu (Rajkoviç 75′), Ozuni (Krasniqi 70′), Fili, Lazareviç. Trajner: A.Mërgjyshi
GJYQTARË: R.Sadiku, R.Preça, E.Gjoni (Elbasan)
VËZHGUES: Krenar Brahja (Tiranë) DELEGAT: Përparim Laçi (Pukë)