Vllaznia- Kukësi për femra, të shtunën ora 13.00 në “Loro Boriçi”

239

Ndeshja më e rëndësishme e javës së 10-të të kampionatit kombëtar të futbollit të femrave por njëkohësisht edhe më e rëndësishmja e kampionatit, ajo në mes Vllaznisë dhe Kukësit, do të zhvillohet ditën e shtunë në ora 13.00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Kjo është ndeshja përcaktuese për caktimin e skuadrës “kampione të dimrit” dhe për këtë arsye, drejtuesit e klubit shkodran i kanë dhënë rëndësinë e duhur asaj duke vendosur ta zhvillojnë në stadiumin “Loro Boriçi”. Të dy skuadrat vijnë në këtë ndeshje me nga 9 fitore të arritura në po kaq ndeshje të luajtura dhe kjo tregon se jo më kot Vllaznia dhe Kukësi janë në krye të renditjes dhe pretendente për titullin kampion. Kuptohet që ekipi shkodran e sheh veten favorit për ta fituar edhe këtë takim megjithatë kjo mbetet për t’u parë në fushën e lojës. Trajneri Selami Pepaj dhe të gjitha vajzat kanë punuar prej javësh për këtë takim dhe tashmë ka ardhur momenti për t’i mundur në fushë rivalët kryesorë. Edhe presidenti Lazer Matija është i bindur se skuadra që ai sponsorizon është më e mirë se kundërshtari dhe do ta fitojë këtë ndeshje që do të luhet të shtunën në orën 13.00 dhe që pritet të ndiqet me interes nga sportdashësit shkodranë.

© vllaznia.al