Vllaznia sot ka ditëlindjen. Feston 95 vjetorin e krijimit të saj

245

Klubi Vllaznia sot ka patur ditëlindjen. Pikërisht 95 vjetorin e krijimit të tij. Një përvjetor që ka kaluar krejtësisht në heshtje në fakt. Planet në fakt kanë qenë ndryshe. Që do të ishte një festë. Por ecuria e skuadrës tonë ka prishur shumë plane. Situata nuk është aspak e mirë dhe duket se për momentin, nuk e kemi mendjen tek festa. Realisht ne jemi të lumtur që klubi jonë, më i vjetri në Shqipëri, sot ka ditëlindjen. Do të donim që gjërat të ishin ndryshe dhe sot në Shkodër të kishte qenë një festë e vërtetë. Klubi Vllaznia në fakt nuk po kalon momente të mira prandaj dhe duhet të mirëkuptohemi për këtë “harresë” të festimit të ditëlindjes. Ndonëse Bashkia po bën më të mirën e mundshme për skuadrën, duket se mbështetja e saj në këtë lloj futbolli nuk mjafton. Prandaj, ajo që kërkojmë është ndihma e të gjithëve në këtë situatë. Në mënyrë që futbolli në Shkodër të mos kalojë momente që as ndër mend nuk do t’i çonte. Prandaj, tifozët, veteranët, pushtetarët dhe të gjithë, duhet ta kenë mendjen tek Vllaznia. Historia e saj nuk është shkruar nga një person i vetëm. Kjo histori 95 vjeçare është shkruar nga qindra e qindra njerëz. Gjatë këtyre viteve ka patur edhe shumë momente të vështira megjithatë janë kaluar. I tillë është edhe ky moment. Duhet ta kalojmë të gjithë sëbashku.Nëse 95 vjetori kaloi si kaloi, ai i ardhshme duhet të jetë ndryshe. Prandaj dhe përvjetori i sivjetëm të jetë një mësim për të gjithë ne. Vllaznia është e të tanve dhe të tanë ne duhet të mendojmë për të. Megjithatë sonte është rasti të themi: Gëzuar Vllazni!
© vllaznia.al