Vllaznia U-16 mund me rezultatin e thellë 4-0 ekipin e Dinamos

265

Vllaznia U-16 ka mundur me rezultatin e pastër 4-0 ekipin e Dinamos. Ndeshja e vlefshme për kampionatin e Ligës Amatore, Zona e Tiranës, është luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”. Skuadra shkodrane e drejtuar nga trajneri Alban Volumi e ka dominuar takimin në të gjitha drejtimet, si në lojë, si në gola ashtu edhe në çdo element tjetër të tij. Autorë të golave për këtë ekip kanë qenë futbollistët Kolbuçaj, Shabani, Cekaj dhe Kushi. Kjo ka qenë ndeshja e parë që ky ekip ka luajtur në Shkodër pasi gjithë takimet e tjera i ka zhvilluar në kryeqytet. Pavarësisht këtij fakti, ai ka bërë paraqitje të mira duke fituar 6 ndeshje deri tani dhe ka humbur vetëm 2. Me këto rezultate, ai është ndër ekipet më të mira pjesmarrëse në këtë kampionat. Trajneri Volumi megjithatë është i kënaqur për mënyrën si luan ekipi. “Sigurisht që kur fiton ekipi, është diçka plus sepse të jep një sadisfaksion më tepër. Megjithatë unë nuk nisem tek kjo. Për mua si trajner ka rëndësi që këta futbollistë të luajnë bukur dhe vitin e ardhshëm kur do kalojnë tek U-17 të jenë të gatshëm për të luajtur dhe të mos ndodhë si vite më parë, kur futbollistët e një datëlindje më të vogël,kanë qenë të detyruar të qëndrojnë më shumë pa luajtur sesa kanë luajtur. Në rradhët e këtij ekipi ju garantoj se ka disa elementë që premtojnë shumë për të ardhmen dhe unë pikërisht tek to i kam sytë”-ka thënë ai për vllaznia.al.