Vllaznia U-17 “dërrmon” Skënderbeun 4-0 dhe siguron finalen e Kupës

258

17 vjeçarët e Akademisë Vllaznia kanë kaluar edhe një tjetër tur të Kupës së Shqipërisë, pikërisht atë gjysmëfinal dhe tashmë e shohin veten në finale të këtij kompeticioni. Ekipi shkodran paraditen e sotme ka arritur një fitore të thellë ndaj Skënderbeut të Korçës në shifrat 4-0. Në pamje të parë duket se kemi patur të bëjmë me një fitore të lehtë dhe në fakt e tillë ka qenë. Kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Neziri dhe Lika, e kanë dominuar në të gjitha drejtimet kundërshtarin duke mos e vënë asnjëherë në dyshim fitoren. Protagonisti kryesor i këtij suksesi ka qenë padyshim mesfushori Qardaku i cili ka arritur të shënojë dy gola në këtë takim ndërsa dy të tjerët kanë patur për autorë, Lisajn dhe Isufin. Vllaznia U-17 në këtë mënyrë tashmë e sheh vetën në finale të Kupës së Shqipërisë së këtij sezoni. Natyrisht që objektivi është i qartë, për ta fituar edhe këtë trofe. Kemi të bëjmë me një ekip në përbërje të të cilit janë lojtarë që premtojnë shumë dhe këtë ata po e tregojnë në të gjitha ndeshjet që po zhvillojnë këtë sezon, si në kupë ashtu edhe në kampionat.

© vllaznia.al