Vllaznia U-17 tre pikë me Olimpic falë golave të Isufit dhe Hoxhës

257

17 vjeçarët e Vllaznisë kanë vijuar me serinë e fitoreve në kampionat teksa paraditen e sotme kanë arritur të shtatën në nëntë ndeshje të zhvilluara. Suksesi i rradhës ka qenë ai ndaj ekipit Olimpic me rezultatin 2-1 në takimin e luajtur në “Reshit Rusi”. Në pamje të parë nisur edhe nga rezultati i ndeshjes, duket një fitore e vështirë por nuk ka qenë kështu. Ekipi shkodran e ka dominuar në të gjitha drejtimet lojën madje stafi teknik ka patur mundësinë që në pjesën e dytë t’u japë hapësirë edhe disa lojtarëve që nuk janë aktivizuar aq sa duhet në javët e mëparshme. Golin e parë të takimit e ka shënuar kapiteni i skuadrës Enes Isufi në pjesën e parë. Në fillimin e së dytës ka ardhur edhe goli i dytë me autor mesfushorin Uheid Hoxha. U duk se pas këtij goli, loja do mbyllej me këto shifra por miqtë nga kryeqyteti kanë arritur të ngushtojnë shifrat pak minuta para fundit por vetëm kaq. Me rezultatin e përgjithshëm 2-1, Vllaznia U-17 ka arritur të fitojë dhe të ngjitet në kuotën e 23 pikëve pas 9 javësh kampionat, me 7 fitore dhe 2 barazime ndërkohë që ajo nuk e njeh ende shijen e humbjes. Edhe golaverazhi është mjaft domethënës, 17 gola të shënuar dhe vetëm 3 të pësuar.Ndeshja është ndjekur edhe nga drejtori sportiv i klubit Eugent Zeka i cili ka qenë nën shoqërinë e një emri të shquar të futbollit shkodran siç është Fatmir Paçrami, por nuk kanë munguar edhe të tjerë ish- sportistë e trajnerë të cilët kanë ndjekur me interes ndeshjet e ekipeve të Akademisë Vllaznia.
© vllaznia.al