Vllaznia, vjen portieri malazez Vladan Giljen

237

Një portier malazez largohet nga Vllaznia, pikërisht Miroslav Vujadinoviç dhe një tjetër po nga ky vend pritet ta zëvendësojë. Bëhet fjalë për Vladan Giljen. Ai ka arritur akordin paraprak me zëvendëspresidentin Isufi pasditen e së shtunës dhe sot ka qenë sërish në Shkodër. Këtë herë për të nisur stërvitjen me ekipin dhe njëkohësisht për të kryer kontrollet mjekësore. Ajo që ka mbetur tashmë ëshë vetëm firmosja zyrtare e kontratës e cila pritet të bëhet ditën e martë pas mbërritjes së presidentit Nava nga Zvicra. Duket se skuadra shkodrane ka bërë një goditje të mirë në merkato. Kjo pasi kemi të bëjmë me një portier të ri në moshë dhe mbi të gjitha me cilësi shumë të mira. I lindur në Nikshiq, ai e ka nisur karrierën me ekipin e këtij qyteti, Sutjeskën. Më vonë, ka arritur të bëjë një kalim të rëndësishëm në karrierën teksa për tre sezone me rradhë, ka luajtur në Portugali me ekipin Nacional Madeira. Sezonin e kaluar ndërkohë portieri Giljen ka luajtur në Serbi me ekipin OFK Beograd. 25 vjeçari ka qenë pjesë e kombëtares U-19 dhe U-21 të Malit të Zi dhe të gjithë këto janë tregues se kemi të bëjmë me një portier cilësor. Në këtë mënyrë, duket se Vllaznia ka filluar të lëvizë në merkato duke siguruar pikësëpari portën. Por ndërkohë në stërvitjen e sotme kanë qenë të pranishëm edhe dy futbollistët kosovarë të ardhur për provë, Funiqi dhe Sadiku. Ndërkohë ditën e nesërme, pritet që bashkë me presidentin Nava të mbërrijë edhe ndonjë futbollist tjetër duke bërë kështu që skuadra të plotësohet me lojtarët e duhur në mënyrë që të jetë konkurruese në sezonin e ri.
www.vllaznia.al