Tafili: Nuk është e lehtë ndaj Erzenit por Vllaznia synon fitoren

319

Tek Vllaznia ka optimizëm për kalimin me sukses edhe të kundërshtarit. Një gjë të tillë e ka deklaruar në prononcimin e tij për mediat mesfushori Alsid Tafili. “Jemi të përgatitur për ta fituar edhe këtë ndeshje. LUajmë në fushën tonë dhe padyshim që ky është një favor sepse duam vetëm fitoren për vetë objektivin që kemi. Shpresoj të japim maksimumin por kuptohet që nuk është një ndeshje e lehtë sepse kundërshtarët kanë një ekip serioz dhe kanë patur një paraqitje
përgjithësisht të mirë. Në fakt fusha ku do të luhet kjo ndeshje nuk është shumë e përshtatshme sepse i ka përmasat më të vogla se ato të stadiumit dhe kjo favorizon kundërshtarin i cili vjen për të marrë një barazim. Por normalisht që ne duhet të kemi kujdes dhe me një seriozitet maksimal për këtë sfidë, të arrijmë fitoren”. Në pamje të parë skuadra po funksionon mirë në të gjitha repartet këtë fillim- sezoni dhe duke folur për këtë gjë, Tafili shton: “Çfarë ka ndryshuar? Stafi është cilësor, lojtarët janë cilësorë dhe kjo bën diferencën me ekipet e tjera”. A ka filluar Vllaznia të mendojë që tani për Superligë apo është ende herët? Mesfushori me përvojë i kuqebluve mendon se nuk duhet folur ende për këtë gjë prandaj shton: “Mendoj se është herët sepse gara sa vjen e bëhet më e vështirë. Siç dihet, në javët e para gjithmonë luftohet për të marrë maksimumin sepse në fazën e tretë kuptohet që do ta kemi më të vështirë prandaj dhe duhet t’i marrim masat që tani për ta thelluar shkëputjen@. Tafili nesër do të jetë i gatshëm për të luajtur sepse e ka kaluar dëmtimin që ka patur. Këtë gjë e thotë edhe vetë teksa premton të bëjë më të mirën për skuadrën që ajo të marrë një tjetër fitore prandaj shton: “Kam patur një problem njëjavor por tani jam më mirë dhe për nesër jam i gatshëm dhe shpresoj të na shkojë sa më mbarë”. Ndeshja Vllaznia- Erzeni do të luhet të shtunën në orën 14.00 në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe shkodranët kanë nevojë edhe për mbështetjen e tifozëve të tyre për të marrë fitoren e rradhës.
www.vllaznia.al