Vllaznia barazim me shumë vlerë në transfertë ndaj Kukësit

300

Vllaznia ka treguar karakter dhe ka arritur të marrë një barazim me vlerë ndaj Kukësit në transfertën e Elbasanit. Më shumë sesa rëndësia e renditjes, ky barazim do të ndikojë nga ana psikologjike tek skuadra jonë e cila po kalonte momente aspak të mira pas rezultateve në ndeshjet e fundit. Në “Elbasan Aren” është arritur barazimi 0-0 në fund të 90 minutave ku nuk kanë munguar rastet për të dy ekipet. Në të parën ka qenë fillimisht Abazaj që mund të kishte kaluar në avantazh Kukësin dhe më pas Sidorenco në dy momente duhej të kishte shënuar për skuadrën shkodrane pas mundësive që iu krijuan. Në të dytën ndërkohë është shtuar presioni dhe ekipet tentuan edhe për fitoren. Junior pak minuta para fundit bën gjithçka mirë në zonë por në fund gjuan në mënyrë krejtësisht të gabuar duke e dërguar topin mbi traversë dhe duke humbur një rast të pastër shënimi. Ndërkohë dy minuta para fundit, ka qenë Çema për vendasit që humb një mundësi të mirë. Përfundimisht barazim 0-0 dhe kjo pikë e marrë kuptohet që ndikon për mirë tek Vllaznia para sfidës të së hënës me Partizanin në “Loro Boriçi”.

KUKËSI- VLLAZNIA 0-0
Kukësi: Xhika, Maliqi, Obanor, Teqja, Kotobelli, Lulaj, Limaj, Musta, Gavazaj, Abazaj, Shkurtaj. Trajner: Orges Shehi.
Vllaznia: Efremov, Gligorov, Adili, Malota, Marku, Krymi, Gurishta, Hygor (Bardulla ’82), Lika, Sidorenco (Shtubina ’73), S. Junior (Shehi ’88). Trajner: Mirsad Jonuz.
Arbitër: Enea Jorgji