Vllaznia i sposton në Pogradec përgatitjet për Skënderbeun

697

Takimi i rradhës për ekipin tonë po afron dhe vlerësimi në rradhët e tij është maksimal. Sfida ndaj Skënderbeut konsiderohet po aq e rëndësishme sa ajo e javës së kaluar ndaj Luftëtarit dhe padiskutim që do të tentohet marrja e një rezultati pozitiv. Përveç stafit teknik edhe drejtuesit e klubit e kanë vlerësuar si duhet këtë ballafaqim. Këtë gjë e tregon më së miri edhe fakti që ekipi ka lënë Shkodrën që në mëngjesin e sotëm, për t’u sistemuar në Pogradec, aty ku do të zhvillojë dy seancat e fundit stërvitore në prag të sfidës me ekipin korçar. Qëllimi i kësaj lëvizje ka të bëjë edhe me përshtatjen e futbollistëve me temperaturat e ulëta që mbizotërojnë tashmë në qytetin juglindor. Vllaznia do të vijojë punën kryesisht në aspektin taktik tashmë për të ndërtuar ashtu si duhet skuadrën për këtë takim . Tek Vllaznia situata është shumë pozitive. Ka besim, optimizëm dhe kjo natyrisht që pritet të reflektohet edhe në fushën e lojës. Kuqeblutë për më tepër kanë zhvilluar një sezon shumë të mirë deri tani në ndeshjet në transfertë duke qenë në vend të parë për numrin e pikëve të grumbulluara dhe këtë gjë do të kërkojnë ta reflektojnë edhe ndaj Skënderbeut.
© vllaznia.al