Vllaznia s’ia del në Durrës, mundet 1-3 nga Teuta

299

Vllaznia nuk ia ka dalë të marrë pikë në ndeshjen e rradhës, atë të luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit ndaj Teutës vendase, sepse është mundur me rezultatin 1-3. Takimi në fakt nisi mirë për skuadrën tonë e cila ka kaluar e para në avantazh që në minutën e 16-të. Pas ekzekutimit të një goditje dënimi nga kapiteni Lika, topi grushtohet nga portieri vendas, prek shtyllën dhe kthehet në lojë dhe aty është Gurishta që e shtyn në rrjetë. Një fillim i shkëlqyer por që nuk zgjat shumë. Në minutën e 24-të, pas një goditje standarte Hoxha barazon për Teutën dhe ndërkohë në minutën e 43-të ka qenë Todorovski që ka dyfishuar për durrsakët. Pjesa e parë mbyllet 2-1 për ta, ndërkohë që në fillimin e së dytës do të vinte edhe goli i tretë dhe më pas, pavarësisht përpjekjeve të futbollistëve tanë, asgjë nuk do të ndryshonte dhe i gjithë takimi u mbyll me fitoren 3-1 të Teutës. Vllaznia në këtë mënyrë pas javës së 22-të të kampionatit mbetet në kuotën e 28 pikëve dhe mban vendin e tetë të renditjes.
© vllaznia.al