Vllaznia U19 vijon me ritualin e fitoreve, ndalet Vllaznia U17

528

Tjetër fitore për Vllaznia U19 dhe tashmë ajo udhëheq e vetme renditjen e kampionatit (rivalja e saj Shkëndia ka edhe dy ndeshje për të luajtur). Kuqeblutë e trajnerit Luan Zmijani kanë mundur pasditen e sotme ekipin Akademia e Futbollit me rezultatin 2-1 në ndeshjen e luajtur në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamëz. Ndeshja është shoqëruar me shumë momente interesante. Që në minutën e 5-të vendasit kanë fituar një 11-metërsh por gjuajtja e Tucit është pritur mrekullisht nga portieri Kristi Qarri. Ndërkohë në minutën e 33-të Vllaznia U19 ka kaluar në avantazh falë autogolit të Trokthit. Pjesa e parë u mbyll me fitoren e ekipit shkodran ndërkohë që në fillimin e pjesës së dytë, pikërisht në ’48 me anë të Skënderit vendasit kanë barazuar rezultatin. Loja me kalimin e minutave fitoi emocione megjithatë goli i fitores ka vonuar të dalë në skenë. Ka qenë Eridon Qardaku i cili në minutën e 76-të ka shënuar golin e dytë dhe të fitores. Përfundimisht 2-1 për Vllaznia U19 që me këtë trepikësh ngjitet në kuotën e 34 pikëve duke mbajtur për momentin vendin e parë në renditje. Ajo tashmë është në pritje të rezultateve të ekipit të Shkëndisë për të mësuar kësisoj nëse do të jetë ajo “kampione dimri” apo Shkëndia. Nderkohe pas fitores javën e kaluar ndaj Shënkollit të vendit të dytë, Vllaznia U17 i është rikthyer humbjes teksa paraditen e sotme është mundur 0-1 nga Akademia e Futbollit, në ndeshjen e luajtur në Kamëz.Goli i Cahanit në minutën e 31-të ka vulosur rezultatin e kësaj ndeshje, ndonëse futbollistët e të dy ekipeve janë përpjekur shumë që të shënonin sërish. Vllaznia nga ana e saj duke mos qenë dakord me disavantazhin, është hedhur në sulm, ka krijuar edhe disa raste shënimi megjithatë nuk ia ka dalë dot që të shënonte golin e barazimit. Për këtë arsye në fund të takimit është detyruar të pranojë humbje në shifrat 0-1. Pas ndeshjes së sotme, Vllaznia U17 mbetet në kuotën e 21 pikëve dhe tashmë është e pozicionuar në vendin e katërt të renditje, me pikë të barabarta me Partizanin e vendit të tretë.
© vllaznia.al