Hap i gabuar i Vllaznisë, mundet 1-2 nga Kastrioti
Vllaznia ka bërë një hap të gabuar në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë të luajtur pasditen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj ekipit të Kastriotit. Ndonëse në fillim të pjesës së dytë ajo ka udhëhequr me rezultatin 1-0, më pas kanë ardhur dy gola të miqve të cilët e kanë fituar krejt takimin në shifrat 2-1.
Fillimi i lojës ka qenë pa raste për të dy ekipet, ndërkohë që në fundin e pjesës së parë Ardit Hoxhaj me kokë ishte shumë pranë golit, megjithatë reagimi i portierit mik i la shifrat e barabarta në 0-0.
Në fillimin e së dytës, kuqebluve u janë dashur vetëm pak sekonda që të kalojnë në avantazh me anë të Aralicës. Por me kalimin e minutave loja e tyre ra disi dhe nga kjo përfituan miqtë që barazuan fillimisht me anë të Hasanit me kokë dhe po ky futbollist do të shënonte edhe golin e dytë në minutën e 87-të.
Vllaznia është e pafat në shtesë kur gjuajtja e Jonuzit goditi shtyllën dhe përfundimisht 2-1 për Kastriotin. Pas javës së 27-të, ekipi ynë mbetet në kuotën e 39 pikëve dhe është i pozicionuar në vendin e katërt të renditjes./vllaznia.al/