Vllaznia kalon edhe Partizanin. Është në finale për të dytin vit rradhazi
Vllaznia ia ka dalë të kualifikohet për të dytin vit me rradhë në finalen e Kupës së Shqipërisë. Pasditen e së mërkurës ajo ka kaluar Partizanin vetëm përmes gjuajtjes së 11-metërshave.
Kjo pasi koha e rregullt dhe shtesa ishin mbyllur në barazim 1-1. Të parët që kaluan në avantazh kanë qenë miqtë me anë të Malës që në minutën e 3-të, ndërsa për kuqeblutë ka barazuar Aralica në minutën e 27-të.
Minutat e tjera deri në fund edhe të atyre shtesë nuk kanë prodhuar asgjë tjetër dhe për të shpallur fituesin u desh gjuajtja e 11-metërshave.
Portieri Zogoviç ka pritur gjuajtjen e parë të Skukës ndërsa më pas, Gurishta, A.Hoxhaj, Adili, Djurdjevic dhe Latifi do të ishin të saktë dhe në fund Vllaznia ka fituar 5-4 duke u kualifikuar kështu për në finale të Kupës së Shqipërisë edhe për sezonin 2021-2022.
Në finale ajo do të ndeshet me ekipin e Laçit, ndeshje që do të luhet më 31 maj.