Barazim 0-0 ndaj Egnatias në sfidën e rradhës të kuqebluve
Pas fitores javën e kaluar ndaj Tiranës, Vllaznia është ndalur me një barazim pa gola në sfidën e rradhës për kampionat, atë ndaj Egnatias të luajtur pasditen e djeshme në stadiumin e Rrogozhinës.
Një 90 minutësh i cili pati oshilacionet e veta të skuadrës tonë, megjithatë loja e saj ka qenë përgjithësisht e kujdeshme sepse objektivi ka qenë i qartë për të mos dalë pa pikë nga kjo përballje.
Kuptohet që në lojën tonë ndikuan sërish mungesat e disa lojtarëve, megjithatë ata që janë aktivizuar kanë bërë më të mirën dhe ndërkohë nuk kanë munguar edhe rastet e shënimit në portën vendase, ashtu siç dhe Egnatia ka patur rastet e saj.
Përfundimisht barazim 0-0 dhe Vllaznia ngjitet në kuotën e 35 pikëve pas javës së 22-të të kampionatit duke u pozicionuar në vendin e tretë të renditjes. Të shtunën e ardhshme ajo do të presë në “Loro Boriçi” ekipin e Kastriotit.
Vllaznia luajti në ndeshjen e djeshme me këtë formacion: Zogoviç, Kruja, Shehi, Gurishta, Bulatoviç, Alivoda (Heriç ’87), Jonuzi, Marku (Boshnjaku ’74), Mala, Latifi (A.Hoxhaj ’60), Balaj (Kaina ’87). Trajner: Mirel Josa./vllaznia.al/