Tjetër fitore e Vllaznisë, mund 4-1 Laçin

Vllaznia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme pasditen e sotme ndaj Laçit, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”. Takimi ka qenë i vlefshëm për javën e 17-të të “Abissnet Superiore” dhe është fituar nga kuqeblutë me rezultatin 4-1.

Ai është dominuar nga fillimi e deri në fund nga futbollistët tanë të cilët e kanë interpretuar ashtu si duhet lojën përgjatë 90 minutave. Rezultati është zhbllokuar në minutën e 31-të kur Ardit Hoxhaj e ka dërguar topin në rrjetën e portës kundërshtare. Po ky futbollist do të shënonte edhe një gol tjetër dy minuta para fundit të pjesës së parë që rregjistron shifrat 2-0 në favor të Vllaznisë.

Në të dytën ka qenë Shkurtaj që ka shkurtuar shifrat për laçianët, por vetëm për pak kohë sepse Juriç fillimisht do të shënonte golin e tretë për Vllazninë në minutën e 73-të dhe në shtesë Jonuzi do të shënonte edhe të katërtin që vulosi rezultatin përfundimtar 4-1 në favor të skuadrës tonë.

Me këtë fitore, jemi ngjitur në kuotën e 28 pikëve duke qenë të pozicionuar në vendin e tretë të renditjes, ndërkohë që udhëheq Tirana me 31 pikë, e ndjekur nga Partizani me 30 pikë. Gara sapo ka nisur…/vllaznia.al/

Shpërndaje