Vllaznia gabon edhe ndaj Erzenit, mundet 2-3 në Durrës

Momenti jo i mirë i Vllaznisë ka vijuar me një tjetër disfatë edhe në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë që është luajtur mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit ndaj Erzenit. Ky i fundit ka triumfuar me rezultatin 3-2.

Ndeshja nisi jo mirë për skuadrën tonë e cila u gjend shumë shpejt në disavantazh pas autogolit të Smajlit që në minutën e 2-të. Jo vetëm kaq, por në minutën e 34-të Nonato shënoi edhe golin e dytë për Erzenin. Vllaznia u mundua të reagonte dhe shënoi me anë të Malës, por çuditërisht goli i tij u anullua nga sistemi VAR. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 2-0 për shijakasit.

Në të dytën kuqeblutë reagojnë dhe Mala shënon në minutën e 57-të duke hapur ndeshjen, por Nonato shënon edhe golin e tretë për vendasit në minutën e 76-të. Vllaznia nuk hoqi dorë nga përpjekjet për të barazuar dhe iu afrua shumë pranë sepse Jonuzi në minutën e 81-të shënoi golin e dytë dhe më pas presioni ishte i madh edhe në kërkim të golit të tretë, por nuk ia doli dhe përfundimisht 3-2 për Erzenin.

Skuadra jonë luajti në këtë ndeshje me formacionin e mëposhtëm: Zogoviç, Smajli, Shehi, Gurishta, Hakaj, Alivoda, Jonuzi, Heriç, Çoba, A.Hoxhaj dhe Balaj. Trajner: Mirel Josa. Janë aktivizuar edhe Kaina, Çoba, Kruja, e Marku./vllaznia.al/

Shpërndaje