Vllaznia mund edhe Tiranën. Rihapet gara për titull
Tjetër fitore e skuadrës tonë, për më tepër ndaj një rivali direkt si Tirana dhe tashmë diferenca me të është ngushtuar në vetëm tre pikë. Në ndeshjen e luajtur pasditen e së dielës në stadiumin “Loro Boriçi”, kuqeblutë kanë fituar me rezultatin 1-0, me golin e shënuar me 11-metërsh nga Herald Marku në minutën e 51-të.
Skuadra jonë e nisi këtë përballje me të njëjtën përballje si ajo e javës së kaluar ndaj Kukësit dhe padyshim që në minutat e para u vërejt një dëshirë e madhe e të gjithë futbollistëve për ta fituar sfidën ndaj bardhebluve.
Në pjesën e parë, pavarësisht përpjekjeve nuk ka patur gol. Ndërkohë në fillimin e së dytës, Balaj vetëm 6 minuta nga starti i saj, ka fituar një 11-metërsh për pengim në zonë nga Behiratche dhe arbitri Jorgji ka akorduar 11-metërsh. Nga pika e bardhë, Herald Marku është treguar i saktë duke e dërguar topin në rrjetë.
Kaq ka mjaftuar dhe Vllaznia ka arritur ta administrojë si duhet avantazhin deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit dhe në këtë mënyrë gjithçka është mbyllur në shifrat 1-0 për të duke marrë një trepikësh me shumë vlerë dhe tashmë diferenca në mes saj dhe Tiranës është ngushtuar në vetëm tre pikë./vllaznia.al/