Vllaznia mund Laçin dhe fiton Kupën e Shqipërisë për të dytin vit rradhazi

Vllaznia ia del. Ajo ka mundur në finale 2-1 ekipin e Laçit dhe meriton trofeun e Kupës së Shqipërisë edhe për sezonin 2021-2022. Ky është trofeu i dytë rradhazi për skuadrën tonë dhe i teti në historinë e saj.

Në finalen e luajtur në “Air Albania” mbrëmjen e djeshme, kuqeblutë janë mbështetur nga një numër i madh tifozësh shkodranë të cilët kanë qenë mbështetja e tyre e madhe. Ndonëse ndeshja nuk nisi mirë për ta sepse pësuan gol që në minutën e 5-të nga Guindo, sërish gjetën forca të reagojnë.

Vllaznia barazoi në minutën e 18-të kur pas një asisti të shkëlqyer të Latifit nga e majta, Ardit Hoxhaj u zhyt saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë. Pavarësisht përpjekjeve të të dy ekipeve, deri në fund të 90 minutave nuk ka patur gol tjetër dhe gjithçka është mbyllur në barazim 1-1.

Kjo ka bërë që ndeshja të shkojë në shtesë dhe pikërisht në minutën e 95-të Mevlan Adili me një gjuajtje nga jashtë zone, do të shënonte golin e dytë, atë që do t’i jepte Kupën Vllaznisë.

Takimi është mbyllur 2-1 për të dhe në fund është zhvilluar ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe padyshim momenti më emocionues ka qenë në fund kur presidenti i FSHF-së Armand Duka i ka dorëzuar kapitenit Erdenis Gurishta trofeun e kupës.

Vllaznia në këtë mënyrë e mbyll sezonin me një tjetër trofe që i pasuron muzeun e saj dhe njëkohësisht siguron edhe kualifikimin për në Kupat e Europës edhe për sezonin 2022-2022./vllaznia.al/

Shpërndaje