Vllaznia ndalet me një barazim ndaj Partizanit
Pas atij në Durrës, ekipi i Vllaznisë ka marrë edhe një tjetër barazim në ndeshjen e rradhës për kampionat, atë të zhvilluar pasditen e djeshme në stadiumin “Loro Boriçi” ndaj Partizani ku është sigluar rezultati 1-1 në përfundim të 90 minutave të tij.
Takimi nuk ka filluar mirë për ekipin tonë sepse që në minutën e 3-të është ndëshkuar me gol teksa Da Silva ka kaluar në avantazh të kuqtë. Megjithatë reagimi ka qenë i menjëhershëm dhe Mala fiton një 11-metërsh në minutën e 8-të që do të kthehej në gol nga Balaj.
Pjesa e parë, pavarësisht rasteve të tjera që u krijuan, nuk prodhoi asnjë gol tjetër. E njëjta gjë edhe në pjesën e dytë ndonëse Vllaznia e shtoi presionin e saj në kërkim të golit të fitores, por nuk ia doli dhe në fund u detyrua të ndante nga një pikë me Partizanin.
Pas javës së 25-të të kampionatit, ekipi kuqeblu ka grumbulluar 37 pikë duke ndarë bashkë me Egnatian vendin e tretë dhe të katërt të renditjes me pikë të barabarta ndërkohë që kryeson Tirana me 43 pikë dhe në vend të dytë është Partizani me 41 pikë./vllaznia.al/
Formacioni i Vllaznisë ndaj Partizanit: Zogoviç, Smajli, Gurishta, Bulatoviç, Hakaj, Boshnjaku (Kaina ’78), Alivoda (H.Marku ’77) , Jonuzi, Mala (Heriç ’82), Çoba (A.Hoxhaj ’46), Balaj. Trajner Mirel Josa.