

Java VIII “Abissnet Superiore”, Vllaznia – Tirana
Klasikja e futbollit shqiptar Vllaznia – Tirana u zhvillua këtë të premte në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 17:00. Kuqeblutë arritën një fitore të merituar me rezultatin 3-1.
Skuadra e Tiranës kaloi e para në avantazh në minutën e 8-të me golin e Tabekut, por reagimi i Vllaznisë ishte i menjëhershëm. Vetëm shtatë minuta më vonë, në minutën e 15-të, Yago barazoi rezultatin. Përmbysja erdhi në pjesën e parë falë një asisti perfekt nga Esat Mala dhe realizimit të kapitenit Bekim Balaj, duke e çuar Vllazninë në shifrat 2-1.
Pjesa e dytë solli një ritëm tjetër loje, Kuoro u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë kuqeblutë me 10 lojtarë. Megjithatë, skuadra tregoi karakter dhe në minutën e 79-të, pas një depërtimi të Balajt që fitoi penallti, Lirim Kastrati e ktheu në gol duke vulosur fitoren 3-1.
Në përfundim të javës së 8-të të kampionatit, Vllaznia renditet në vendin e parë të tabelës së klasifikimit me 19 pikë, duke konfirmuar formën e shkëlqyer të skuadrës.


























