Plori: Vllaznia ndaj Kukësit vetëm për fitore

Nesër në ora 19.45 Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës në “Loro Boriçi” ndaj Kukësit, e vlefshme kjo për javën e 33-të të “Abissnet Superiore”. Në prag të kësaj sfide, ka dalë në konferencë për shtyp trajneri Elvis Plori i cili i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve si më poshtë:

Sfidë vendimtare? “Duke parë situatën dhe mundësinë ne dhe Kukësi, mendoj se do të jetë një sfidë interesante pasi pretendojmë Europën. Duke parë ngjeshjen e skuadrave për Europë është shumë interesante e do të jetë një ndeshje e bukur për të gjithë, por shpresojmë që të fitojmë. Duhet të fitojmë nesër, e kemi vlerësuar Kukësin, por kemi mundësi edhe ne. Duhet të jemi me këmbë në tokë, por duhet të shtojmë entuziazmin për të shënuar. Është vendimtare si ndeshje sepse është një ndeshje direkte”.

Barazimet? “Kemi gabuar shumë para porte pasi kishim raste para porte. Dinamo ka bërë keq në ndeshjet e futbollit, por ka dhuruar dhe ka luajtur futboll. Ndaj nesh luajtën futboll, por gabuam ne dhe mund të ishim më mirë në renditje. Po vuajmë për të shënuar gol. Ishim entuziast, por nuk patam as fat. Po të jepej ajo penalltia, gjithçka mund të ndryshonte”.

Vendi i 3-të? “Duhet të mendojmë për atë vend që të dërgon në Europë. Nëse vëmë re Kukësi, Partizani dhe ne kemi gabuar. Ekipet janë njësoj dhe presioni për Europën të bënë të gabosh. Duhet të ruajmë qetësinë për të marrë më të mirën e lojtarëve”.

Ndryshimet? “Orari i ndeshjes është një bonus për ndeshjet, por edhe stadiumi. Duhet të kërkojmë lojë sulmuese e të jemi agreziv para portës. Në shumë raste e kemi tepruar me altruizimin, por duhet të jemi cinikë para porte. Duhet të guxojmë më tepër, por duhet të jemi edhe të kujdesshëm. Nëse arrijmë Europën nga kampionati do të jemi të qetë në finalen e Kupës. Për këtë jam munduar që t’i mbaj lojtarët të qetë e që të mendojnë për kampionatin”.

Mungesat? “Gjurgjevic u dëmtua në stërvitjen e kaluar para Dinamos dhe nuk do të jetë as këtë javë. Latifi ka patur një dëmtim të rëndë ndaj Skënderbeut, por pas ndeshjes ka ndjerë dhimbje. Dje u mundua të jetë aktiv, por ishte e pamundur. Do provojmë edhe sot e shpresoj ta kemi të paktën në stol”.

Arbitrat? “Të them të drejtën janë bërë shumë. Ne analizojmë çdo ndeshje dhe pavarësisht gabimeve tona, janë edhe gabimet e arbitrave që kanë ndikuar në rezultat, jo vetëm tani, por edhe më përpara. Për Dinamon ishte ndeshja e fundit që shpresonte të qendronte në Superligë dhe një Vllazni që lufton për Europën, e gjyqtari nuk merr mundimin ta shikojë në VAR. Është një problem pasi edhe ndeshja me Skënderbeun shkoi kështu, edhe ndaj Teutës po kështu edhe me Kastriotin. Duhet të jemi të drejtë pasi jemi penalizuar dhe po ndikojnë në rezultat. Nuk mund të them që janë orientim nga lartë, mund të jenë edhe gabime nuk mund të them asgjë, por ato raste ndikojnë pasi diferencat janë të vogla te skuadrat tona”

Shpërndaje